Këshilla për Fermerët që mbarështojnë të imta (dele)

Për dhentë që mbarështohen në zonën e ngrohta, fundi i muaji qershor është afati i ndërzimit, ndërsa për zonat e ftohta është muaji përgatitor për t’u ndërzyer ato në muajin korrik. Kujdes dhe vëmendje të madhe në zbatimin e këtyre momenteve tekniko organizative, sepse një dele shterpë ose e dështuar do të thotë qumësht dhe një qengj më pak, e për pasojë humbje ekonomike për fermën tuaj.

- Deshët e ndërzimit të ndahen nga tufa e deleve dhe të fillojë trajtimi me ushqime suplementare ne grazhd. Racioni suplementar të jetë 0.6-0.7 kg/krerë koncentrat (elb+misër) si dhe rreth 1 kg/krerë bar të thatë përveç kullotës.
- Të përcaktohen kullotat më të mira për të ushqyerin e tufës së deleve para dhe gjatë ndërzimit dhe të mos bëhet ndërrimi i tyre si dhe ritmi dhe vazhda e kullotjes. Gjatë kësaj periudhe duhet të strehohen në vatha me hijezim për të evituar rrezatimin e lartë diellor si dhe rrebeshet (shi, breshër etj), të cilët shkaktojnë ndërprerje të ciklit seksual.
- Siguroni ujë të pijshëm në sasi dhe cilësi sipas dëshirës. Kafshët minimalisht të pinë tre deri katër here në ditë.
- Jepini kripë çdo ditë 5-6 gr /dele, evitoni dhënien një here në dy tre ditë, ose në javë.
- Dy javë para fillimit të fushatës dhe gjatë ndërzimit të mos bëhet asnjë lloj trajtimi veterinar etj.
- Para fushatës së ndërzimit të futen here pas here në tufën e deleve deshët e kontrollit (të vazoektomizuar ose me përparëse) për stimuluar ardhjen në afsh të deleve.
- Të mos ndërrohet vend strehimi i tufës së deleve (stalla, vatha) dhe të mos hiqet plehu para dhe gjatë fushatës së ndërzimit.
- Të caktohen deshët më të mire të vlerësuar nga paraardhësit dhe treguesit individualë të pastër nga sëmundjet dhe të kontrolluar për aktivitet të mire seksual.
- Ndërzimi te behet me këto kritere. Për çdo dash të caktohet grupi i deleve që nuk kanë lidhje gjaku me të (të evitohet ndërzimi babë bijë, bir nënë, motër vëlla etj).
- Për çdo dash të planifikohen për ndërzim 20-30 krerë dele (minimalja për deshët e rinj dhe maksimalja për deshët e rritur). Për zbulim afshi të përdoret një dash për 60-70 krerë dele.